Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë (18 maj).

Ngjarja ka ndodhur pranë një kioske, në zonën e njohur si ‘lulishtja’. I plagosuri është identifikuar si Kristjan Kaçorri, 28 vjeç.

Ai ka marrë një plumb në këmbë dhe është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se 28 vjecari u vetëplagos me armën e zjarrit të cilën e posedonte pa leje. Për pasojë ai është vënë në pranga.

Vihen pranga edhe dy shtetas të tjerë si dhe shpallet në kërkim një tjetër pasi ndihmuan në fshehjen e armës së zjarrit dhe vendit të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

“U vetëplagos me armën e zjarrit të cilën e posedonte pa leje, vihet në pranga 28-vjeçari.

Vihen pranga edhe dy shtetas të tjerë si dhe shpallet në kërkim një tjetër pasi ndihmuan në fshehjen e armës së zjarrit dhe vendit të ngjarjes. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.

Pas njoftimit të marrë se rreth orës 01:20, datë 18.05.2025, në spital kishte shkuar për mjekim, një shtetas i dëmtuar në këmbë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 nisën hetimet me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e saj dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në përfundim të tyre arrestuan shtetasit:

K. K., 28 vjeç, A. C., 33 vjeç dhe A. M., 30 vjeç, të tre banues në Tiranë. Si dhe shpallen në kërkim shtetasin E. E., 41 vjeç, banues në Kucovë.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 28-vjeçari është vetëplagosur aksidentalisht, në ambientet e një lokali në Komunën e Parisit, me një armë zjarri, të cilën e posedonte pa leje. Aktualisht, ky shtetas është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shtetasit A. C dhe E. E, kanë marrë armën e zjarrit dhe gëzhojën dhe i kanë fshehur në një ambient jashtë lokalit, ndërsa shtetasi A. M (kamarieri i lokalit) ka fshirë vendin e ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”./shqiptarja

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu