
Sulmi i rëndë ndaj një vogëlusheje 4-vjeçare në Vlorë ka ndezur një debat të fortë publik, duke kaluar nga një ngjarje kronike në përplasje të hapur politike dhe sociale.
Ngjarja ndodhi në zonën e Lungomares, ku një qen i racës pitbull sulmoi fëmijën teksa ajo po shëtiste me gjyshërit. E mitura pësoi plagë të rënda në kokë dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas të dhënave paraprake, qeni dyshohet se i shpëtoi nga zinxhiri pronarit, një 87-vjeçar, i cili është vënë nën hetim për rastin.
Pas kësaj ngjarjeje, reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta dhe të forta. Aktivistja dhe përfaqësuesja e PD-së, Adriana Kalaja, ka akuzuar publikisht për vrasje të qenve pa ligj dhe pa protokoll, duke e lidhur situatën me menaxhimin e kafshëve në qytet.
Në të njëjtën linjë, edhe faqja “Disidentët”, e njohur për qëndrimet e saj nga Vlora, ka publikuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kryebashkiakes Brunilda Mersini, duke ngritur dyshime për përgjegjësi në trajtimin e rastit dhe për mënyrën si janë menaxhuar qentë endacakë.
Megjithatë, deri në këtë fazë, këto mbeten pretendime dhe akuza publike, pasi nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet lidhur me eliminimin e qenit apo përfshirjen e autoriteteve vendore në këtë vendimmarrje.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikën e qenve në qytet, ndërsa raportimet flasin për disa raste kafshimesh çdo javë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike dhe kontrollin institucional.
Ndërkohë, pritet reagim nga Bashkia e Vlorës për të sqaruar situatën dhe për t’iu përgjigjur akuzave që po qarkullojnë në publik.




