
Nga ambientet e Spitalit Rajonal të Vlorës, ku vizitoi tre zjarrfikës të Bashkisë Vlorë të prekur nga problemet me frymëmarrjen gjatë ndërhyrjeve në terren, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Pirro Vengu, shprehu mirënjohjen e tij për guximin dhe përkushtimin e tyre.
“Mirënjohje për Luanin, Dëfrimin dhe Andrean, për të gjithë zjarrfikësit 🧑🚒, efektivët e Forcave të Armatosura ⚔ dhe çdo individ apo strukturë të angazhuar në luftën kundër flakëve anembanë Shqipërisë,” – u shpreh Vengu.
Aktualisht, përpjekjet nga toka dhe ajri po vijojnë në katër vatra të mëdha në Mat, Përmet, Devoll dhe Dukat, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po punon në koordinim me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, për të siguruar kapacitete shtesë nga ajri në përgatitje për ditët tepër të nxehta që pritet të godasin vendin.
Apeli i Vengut vjen në një moment kritik për situatën e zjarreve në vend, ku përkushtimi i forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës po shfaqet vendimtar në mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe natyrës shqiptare.