
Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion të gjerë kundër një skeme mashtruese piramidale online, duke vënë në pranga 6 persona dhe shpallur në kërkim 2 të tjerë, ndërsa dhjetëra qytetarë kanë rënë viktimë të mashtrimit financiar.
Operacioni i koduar “XUEX” u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Fier, pas një hetimi disa mujor të mbështetur mbi informacione të verifikuara dhe analiza të avancuara të zinxhirit të bllokut (blockchain).
Të arrestuarit:
- Arbër Çela, 38 vjeç, Lushnjë
- Emanuel Taullau, 21 vjeç, Lushnjë
- Flavio Mukaj, 23 vjeç, Lushnjë
- Marius Kodra, 28 vjeç, Tiranë
- Brunilda Todi, 38 vjeçe, Divjakë
- Brunilda Ndini, 38 vjeçe, Divjakë
Ndërkohë në kërkim janë shpallur shtetasit: E. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh., 29 vjeçe, të dy nga Divjaka.
Skema mashtruese
Sipas hetimeve, individët e arrestuar vepronin si agjentë kryesorë të një skeme piramidale që përdorte kriptomonedha si USDT dhe TRON. Ata promovonin platforma të rreme investimi, duke i premtuar qytetarëve fitime të sigurta e të shpejta.
Pjesëmarrësit udhëzoheshin përmes grupeve të mbyllura në Telegram, ku kërkohej që çdo investitor të sillte të paktën 5 persona të tjerë në sistem për të rritur fitimet. Në fakt, bëhej fjalë për një mashtrim të strukturuar, ku vetëm nivelet e para të zinxhirit përfitonin, ndërsa shumica humbnin kursimet e tyre.
Operacioni përfshiu 83 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, duke goditur një rrjet të gjerë mashtrimi që kishte arritur të përfshinte dhjetëra qytetarë.
Apeli i Policisë
Drejtori i Policisë së Fierit, Skënder Litaj, u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e skemave të tilla mashtruese që maskohen si “mundësi investimi”.
“Mos besoni në ‘fitime të sigurta’ që premtojnë pasuri të menjëhershme. Këto nuk janë investime, por mashtrime të sofistikuara ku në fund humbin gjithmonë qytetarët”, – deklaroi Litaj.
Policia e Shtetit konfirmoi se hetimet për identifikimin e organizatorëve kryesorë të rrjetit vijojnë, ndërsa strukturat e specializuara do të intensifikojnë punën për goditjen e krimeve kibernetike dhe ekonomike.