Gjykata Kushtetuese është mbledhur sot në seancë plenare për të shqyrtuar kërkesën e Kryeministrit Edi Rama, lidhur me konfliktin institucional me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në dhjetor vendosi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur për çështje që lidhen me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Tiranës.

Në fund të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi të ngrijë përkohësisht vendimin e GJKKO-së, ndërsa në seancën e sotme po shqyrtohet në themel kërkesa e Kryeministrit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes institucioneve.

Kryeministria: Gjykata nuk ka të drejtë të pezullojë ministren

Gjatë seancës, përfaqësuesja e Kryeministrit argumentoi se gjykata nuk ka kompetencë të pezullojë një anëtar të Këshillit të Ministrave, duke theksuar se ministrat gëzojnë të njëjtin imunitet si deputetët.

“A ka të drejtë gjykata të pezullojë një ministre? Ne argumentojmë se jo”, u shpreh ajo, duke shtuar se SPAK ka shkelur jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka sqaruar se edhe ministri që nuk është deputet gëzon imunitet të barabartë kushtetues.

Sipas përfaqësueses së Kryeministrit, imuniteti nuk mbron vetëm lirinë personale, por edhe ushtrimin e funksionit publik, ndaj çdo masë që pengon ushtrimin e detyrës duhet të autorizohet nga Kuvendi.

Kuvendi: Pezullimi është de facto shkarkim

Edhe përfaqësuesja e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese argumentoi se masa e pezullimit nga detyra përbën shkelje të dispozitave kushtetuese, pasi në praktikë është e barabartë me shkarkimin e një ministri.

“Vendimi i pezullimit është de facto një shkarkim, pasi ndalon pjesëmarrjen e ministrit në Këshillin e Ministrave dhe ushtrimin e çdo funksioni”, u shpreh ajo, duke shtuar se kohëzgjatja e hetimeve mund të barazohet me një mandat të plotë qeverisës.

Sipas Kuvendit, Kushtetuta përcakton qartë mënyrën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave, kompetenca që nuk mund të usurpohet nga gjykata.

GJKKO refuzon pjesëmarrjen në seancë

Ndërkohë, GJKKO ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues ku kërkues është Kryeministri i Republikës.

Në seancë janë të pranishëm prokurorët e çështjes, ndërsa Presidenti i Republikës Bajram Begaj përfaqësohet nga këshilltarë dhe drejtues të kabinetit të tij.

Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim që do të përcaktojë jo vetëm fatin e pezullimit të Belinda Ballukut, por edhe balancën e kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, në një nga përplasjet më të forta institucionale të viteve të fundit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu