
Një sulm i rëndë me armë zjarri ka ndodhur këtë të hënë në Jerusalemin verior, në zonën e Ramot Junction, ku dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj qytetarëve që prisnin në një stacion autobusi.
Sipas shërbimit izraelit të urgjencës Magen David Adom, të paktën pesë persona kanë humbur jetën, mes tyre tre burra në të 30-at, një grua në të 50-at dhe një burrë në të 50-at. Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë nga plagët e armëve.
Policia izraelite ka bërë me dije se sulmuesit u qëlluan për vdekje në vend, pasi një ushtar dhe disa civilë iu kundërpërgjigjën me zjarr. Në vendngjarje u sekuestruan armë, municione dhe një thikë që ishin përdorur nga autorët.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një autobus të goditur nga plumbat, me xhama të thyer, ndërsa rruga është e mbushur me forca sigurie dhe mjete emergjence.
View this post on Instagram
Kryeministri Benjamin Netanyahu mbërriti në vendngjarje së bashku me ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ku deklaroi se po kryhet një vlerësim i situatës me drejtuesit e institucioneve të sigurisë.
Deri tani, asnjë grup i armatosur nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ndërkohë, ushtria izraelite (IDF) ka rrethuar disa zona në periferi të Ramallahut në Bregun Perëndimor, si pjesë e operacioneve parandaluese kundër akteve të tjera terroriste.