Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Perugias në Itali, ku në orët e para të mëngjesit të së shtunës është vrarë me thikë 23-vjeçari me origjinë shqiptare, Hekuran Cumani, banues në Fabriano, rajoni Marche.

Sipas mediave italiane, sherri nisi brenda një lokali nate, për t’u zhvendosur më pas në parkingun e zonës universitare në via Pascoli, ku situata degjeneroi në dhunë. Një person ende i paidentifikuar nxori thikën dhe e goditi Cumanin në kraharor, duke e lënë të plagosur rëndë.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ndihmës së shpejtë, i riu u gjet pa shenja jete nga policia rreth orës 04:00 të mëngjesit.

Hekuran Cumani ishte i lindur dhe rritur në Itali, një djalë i qetë dhe i apasionuar pas sportit, sipas dëshmive të familjarëve. Gjatë verës punonte në restorantin e familjes në Senigallia, ndërsa dimrit merrej me punë sezonale.

Autorët e përfshirë në përleshje janë larguar menjëherë pas ngjarjes. Policia italiane ka marrë në pyetje disa dëshmitarë dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personin që goditi me thikë 23-vjeçarin shqiptar.

Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Perugias, e cila ka hapur një procedim për vrasje. Deri më tani, motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, por dyshohet se sherri ka nisur për arsye të parëndësishme.

Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë pas një tjetër vrasjeje në Palermo, duke rikthyer në qendër të debatit publik fenomenin e dhunës mes të rinjve në jetën e natës italiane

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu