
Pamje video janë transmetuar nga momenti ku rreth 20 adoleshentë përleshen me njëri-tjetrin në Shkodër.
Në pamje, duket një grup të rinjsh që ecin para, duke qëndruar në një “pikë takimi” dhe nga pas vjen grupi tjetër. Fillimisht, është njëri nga adoleshentët që tregon me gisht drejt një tjetri, dhe më pas nis sherri.
Grushtat dhe goditjet me sende të forta vazhdojnë për disa sekonda, ndërsa njëri prej tyre nxjerr thikën dhe qëllon.
Nga ky sherr, janë 3 adoleshentë të lënduar, të cilët janë paraqitur në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dy prej të lënduarve janë vëllezër. Policia po vazhdon me hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit.

Ndërkohë forcat “Shqiponja” kanë arrestuar një 17-vjeçar me iniciale A.K, i cili dyshohet si një prej personave kryesor në konfliktin që u shënua mëngjesin e kësaj të premte në Shkodër.
17 vjeçari është vëllai i një personi tjetër që është nxënës në shkollën e mesme “Shejnaze Juka” ndërsa edhe personi tjetër i konfliktuar me dy vëllezërit është nxënës i shkollës.
“Rreth orës 11:10, në lagjen “Kongresi i Permetit”, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta në rrugë, duke përdorur mjete prerëse, shtetasi A. K. me shtetasit F. Th. dhe K. Th. (vëllezër).
Të tre këta shtetas janë dërguar në spital, për mjekim, dhe janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi më herët policia.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit






