Konflikti mes Iranit dhe Izraelit vijon të përshkallëzohet, ndërsa në rajonin e Lindjes së Mesme raportohen sulme të reja me raketa dhe dronë, si dhe incidente që përfshijnë anije nafte dhe objektiva ushtarake.

Sipas mediave ndërkombëtare, të paktën dy persona janë plagosur nga një sulm me dron në Nakhchivan, një enklavë e Azerbajxhanit, ku sipas autoriteteve lokale droni dyshohet se është nisur nga territori iranian.

Ndërkohë në rajonin e Gjirit Persik është raportuar një shpërthim i madh në një cisternë nafte pranë Kuvajtit, që ka shkaktuar rrjedhje nafte në det. Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se ka goditur një cisternë amerikane, por për incidentin nuk ka ende konfirmime të plota nga burime të pavarura.

Në të njëjtën kohë, Izraeli ka nisur një valë të re sulmesh ajrore ndaj objektivave në Teheran, ndërsa në Tel Aviv janë aktivizuar sirenat e alarmit pas lëshimit të raketave nga Irani.

Në Liban situata mbetet e tensionuar. Ushtria izraelite ka kërkuar nga banorët e jugut të vendit të largohen nga zonat pranë kufirit, duke paralajmëruar sulme ndaj pozicioneve të Hezbollahut.

Ndërkohë, Rusia ka deklaruar se Irani nuk ka kërkuar ndihmë ushtarake, ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka bërë thirrje për krijimin e një fronti ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Gjirin Persik.

Edhe në Evropë po shtohen shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit. Spanja ka njoftuar se do të dërgojë një fregatë ushtarake për të mbrojtur Qipron pas një sulmi me dron ndaj një baze britanike në ishull.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu