65% e meshkujve të grupmoshës 25-34 vjeç që jetojnë në qarkun e Tiranës janë beqarë. Këtë tregojnë të dhënat e detajuara të Censit të publikuara së fundmi, sipas së cilit ndonëse popullsia e qarkut Tiranë dominohet nga gjinia femërore, numri më i lartë me statusin beqar është tek meshkujt.
Për sociologen Entela Binjaku, të tilla të dhëna reflektojnë fenomenin e rritjes së moshës së martesës që në pamje të parë lexohet si formë pjekurie, por në brendësi ka edhe një sërë faktorësh që po i bëjnë të rinjtë të hezitojnë të martohen.
“Nuk është vetëm ky shkaku i vetëm, nevoja për të qenë më të pjekur, zakonisht pas shkaqeve që janë në shtyrje të moshës së martesës është pasiguria; pasiguria për të siguruar ekonomikisht familjen, një strehë dhe shpeshherë meshkujt hezitojnë pasi janë të pasigurt.”
Për pasojë, edhe lindjet në shoqërinë shqiptare kanë rënë dhe gjendur në këtë situatë propozohen disa politika mbështetëse.
“Po të kishte më shumë politika mbështetëse, jam e sigurt që nuk do kishte këtë hezitim. Financime për të blerë banesën e parë, makinën e parë.”
Ndërsa meshkujt dominojnë si beqarë, numri më i lartë i të divorcuarve që jetojnë në qarkun e Tiranës janë të gjinisë femërore./Tema