Tensionet brenda Partisë së Lirisë kanë shpërthyer sërish, këtë herë me një deklaratë të fortë nga deputetja Monika Kryemadhi ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, Tedi Blushi.

Para se të hynte për herë të fundit në Kuvend, Kryemadhi ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet e SPAK dhe një rast të ri korrupsioni, ku përmendet një kartë bankare me të cilën janë shpenzuar 244 mijë dollarë për bileta avioni, veshje dhe hotele luksoze. Kjo kartë, sipas hetimeve, ishte dhuruar nga kushëriri i Tedi Blushit, biznesmeni Adrian Shatku.

Kryemadhi ka akuzuar drejtpërdrejt Blushin, duke e ironizuar për faktin se “lexon dokumentet e SPAK për të tjerët”, në vend që të përballet me emra si Ergys Agasi apo Ulsi Manja. Ajo ka shkuar më tej, duke e akuzuar se ka larguar Ilir Metën nga shtëpia dhe ka përçarë strukturat e Partisë së Lirisë. “Tani që u bë deputet, nuk e di çfarë tjetër kërkon të marrë më,” u shpreh Kryemadhi me tone të ashpra.

Këto deklarata shënojnë një tjetër kapitull të krizës së brendshme në Partinë e Lirisë, duke zbuluar përçarjet e thella mes figurave kyçe të saj, ndërsa SPAK vijon hetimet për korrupsion dhe abuzim me fondet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu