
Një debat i drejtpërdrejtë është zhvilluar mes Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik të PS për Diasporën, Taulant Balla, dhe eurodeputetit gjerman Michael Gahler gjatë vizitës së delegacionit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije se eurodeputeti i PPE-së kërkoi sqarime përse Shqipëria pranoi menjëherë ftesën për t’u bërë pjesë e “Bordit të Paqes”, një iniciativë e Presidentit amerikan Donald Trump.
Në përgjigjen e tij, Balla theksoi se Tirana zyrtare gëzon një marrëdhënie të veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe se ky partneritet strategjik mbetet një shtyllë e rëndësishme e politikës së jashtme shqiptare.
Ai i kërkoi gjithashtu eurodeputetit gjerman që të drejtojë pyetjen në institucionet europiane për mungesën e një qëndrimi të unifikuar nga ana e vendeve të BE-së.
“Pyet në Bruksel pse jeni të përçarë”, mësohet të ketë qenë mesazhi i Ballës, duke nënvizuar se disa shtete anëtare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në iniciativë, ndërsa të tjera ende nuk kanë marrë një vendim.
Debati vjen në një moment kur koordinimi mes aleatëve perëndimorë për çështjet e sigurisë dhe diplomacisë globale po merr rëndësi të shtuar, ndërsa Shqipëria vijon të rreshtohet krah partnerit të saj strategjik, SHBA.






