Debati për integrimin europian ka përshkallëzuar tensionet në Kuvend, me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, që i është kundërpërgjigjur akuzave të Taulant Ballës se opozita nuk ka votuar ligjet e nevojshme për BE.

Bardhi deklaroi se opozita është përjashtuar nga procesi dhe nuk ka pasur as transparencën minimale për të ditur se cilat ligje lidhen konkretisht me integrimin. Sipas tij, lista e draft-ligjeve është kërkuar mbi 10 herë në Konferencën e Kryetarëve, por nuk është vënë asnjëherë në dispozicion.

Në të njëjtën kohë, ai akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të rregullores në lidhje me mocionin me debat, duke theksuar se afatet ligjore nuk janë respektuar. Bardhi ironizoi mënyrën e llogaritjes së afateve, duke thënë se “30 ditë janë kthyer në 5 muaj”.

Kjo përplasje vjen pas deklaratave të Ballës, i cili akuzoi opozitën për mungesë mbështetjeje ndaj 23 ligjeve të integrimit. Nga ana tjetër, Bardhi këmbëngul se përgjegjësia bie mbi mazhorancën, për shkak të mungesës së transparencës dhe përjashtimit të opozitës nga procesi.

Debati pritet të vijojë në seancat e ardhshme, ndërsa integrimi europian mbetet një nga temat më të nxehta të përplasjes politike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu