Shtetet e Bashkuara do të vijojnë zbatimin e planit për fazën e dytë të paqes në Gaza, pavarësisht kundërshtimeve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me përbërjen e të ashtuquajturit “Board of Peace”.

Sipas mediave amerikane, presidenti Donald Trump i ka ftuar zyrtarisht Netanyahun që të bëhet pjesë e këtij bordi, ose të dërgojë një përfaqësues, megjithatë Tel Avivi ka reaguar ashpër, duke deklaruar se përbërja e këshillit nuk është koordinuar me Izraelin dhe bie ndesh me politikat e tij.

Burime të cituara nga Axios bëjnë me dije se administrata amerikane është e vendosur të ecë përpara, duke theksuar se menaxhimi i Gazës do të bëhet “sipas mënyrës amerikane”, ndërsa Netanyahut i kërkohet të fokusohet te Irani. Sipas këtyre burimeve, SHBA po i bën “një favor” Izraelit dhe nëse plani dështon, Netanyahu mund të distancohet, ndërsa nëse funksionon, ai mund të marrë meritën.

Ndërkohë, në kuadër të planit amerikan, është shpallur edhe përbërja e Gaza Executive Board, ku përfshihen përfaqësues nga SHBA, Turqia, Katari dhe vende të tjera. Në këtë bord janë përfshirë edhe dy gra, Reem Al-Hashimy nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Sigrid Kaag nga Holanda, e njohur për rolin e saj kyç në koordinimin humanitar të OKB-së për Gazën.

Plani parashikon një qeveri teknokrate tranzitore në Gaza, e cila synon rikthimin e sigurisë, shërbimeve bazë dhe rindërtimin pas luftës, si pjesë e fazës së dytë të armëpushimit dhe procesit të paqes të ndërmjetësuar nga SHBA.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu