
Debati mes deputetes së PS, Sara Mila – një nga më të votuarat në qarkun e Elbasanit – dhe gazetares Klodiana Lala ka nisur pas një serie reagimesh publike të kësaj të fundit në rrjetet sociale.
Gjithçka filloi kur gazetarja Lala ngriti pikëpyetje mbi rezultatin elektoral të Milës, duke kërkuar shpjegime se si ajo arriti të marrë mijëra vota. Në postimet e saj, Lala përmendi edhe pretendime për presion, patronazhistë dhe forma të tjera ndikimi, duke e cilësuar situatën “të frikshme” dhe duke kërkuar transparencë të plotë.
“Para se Sara Mila të na viktimizohet për peshën, të na tregojë si arriti të marrë ato mijëra vota”, shkruante ndër të tjera gazetarja, duke e çuar debatin në një ton të drejtpërdrejtë dhe akuzues.
Pas këtyre deklaratave, reagoi deputetja Sara Mila, e cila i hodhi poshtë akuzat dhe i bëri thirrje gazetares që të paraqesë prova konkrete. Në një reagim publik, Mila e ftoi Lalën në një komunikim të drejtpërdrejtë dhe e sfidoi të publikojë çdo fakt që mbështet pretendimet.
“Të dezinformosh është e lehtë, të informosh është më e vështirë. Trego publikisht kush të ka kërcënuar, me emra dhe mbiemra”, u shpreh Mila, duke kërkuar që çdo akuzë të mbështetet me prova ose të ndiqet rruga ligjore.
Ajo shtoi gjithashtu se, nëse ekzistojnë kërcënime apo shkelje, ato duhet të denoncohen pranë organeve të drejtësisë.
Përplasja ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale, duke u kthyer në një debat të hapur mes politikës dhe medias, ndërsa pritet nëse palët do ta çojnë më tej këtë çështje në institucione apo në një përballje publike.



