
Vlorë – Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë mesditë në zonën e Skelës në Vlorë, ku një përplasje mes dy automjeteve ka degjeneruar në një incident të dhunshëm.
Pas një debati verbal mes dy drejtuesve të mjeteve, njëri prej tyre ka përdorur automjetin e tij tip Benz për të goditur disa herë makinën tjetër, duke e nxjerrë nga rruga. Fatmirësisht, drejtuesi i automjetit të goditur ka arritur të dalë në kohë nga makina, duke shmangur lëndimet fizike.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policie, të cilat kanë shoqëruar në komisariat drejtuesin e automjetit tip Benz.
Të dy automjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim.