
Florjan Koceku është 31-vjeçari i arrestuar nga policia e Tiranës, pasi ditën e djeshme ka përplasur një efektiv te qarkullimit rrugor.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në zonën e Unazës së Re teksa efektivi ishte me shërbim dhe i ka bërë me shenjë 31-vjeçarit të ndalonte pasi kishte parë lëvizje jo të rregullta.
Koçeku nuk ka ndaluar, por e ka tërhequr për disa metra duke e lënë të plagosur.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.03.2025, te rrethrrotullimi i Unazës së Re, në rrugën “Sotir Caci”, punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, i planëzuar me shërbim, i ka bërë shenjë ndalimi një automjeti, pasi ka konstatuar lëvizje të pakontrolluara në rrugë. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen. Duke vijuar lëvizjen, drejtuesi i automjetit e ka tërhequr punonjësin e Policisë, për disa metra, duke i rrezikuar jetën. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe ndaluar automjetin, dhe i ka kërkuar drejtuesit, t’i paraqesë dokumentacionin. Drejtuesi i automjetit e ka kundërshtuar dhe më pas e ka goditur punonjësin e Policisë, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat drejtuesin e automjetit, dhe në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të tij, konkretisht shtetasit F. K., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./abc lajme