Bordi Ekzekutiv i Partisë FDP në Zvicër vendosi për tre kandidatë të cilët do t’ua propozojë delegatëve të Qytetit të Zyrihut për nominim në këshillin më 4 shtator. Përveç kandidaturave për këshilltar të qytetit, që janë Michael Baumer dhe Marita Verbali, kjo parti ka nominuar për kandidat për kryebashkiak, Përparim Avdilin.

Komiteti rekomandon Përparim Avdilin si kandidat për President të Qytetit, thuhet në një komunikatë për media, të dërguar nga kjo parti. Në vazhdim komunikata prezanton tre kandidatët duke vlerësuar profilet e tyre për postet që propozohen.

Në prezantimin që i bëhet Përparim Avdilit, veç tjerash thuhet se ai është “një njeri veprues me një shtysë krijuese për Këshillin e Qytetit të Zyrihut:

“Zyrihu duhet të bëhet përsëri një metropol inovativ ekonomik, kulturor dhe i dijes, një vend i gjallë i diversitetit dhe progresit. Kjo kërkon një kryetar bashkie të përkushtuar që e bën këtë premtim të prekshëm në jetën e përditshme – me mundësi të drejta për strehim, në punë dhe në lagjet tona.”

Ndërsa vetë Avdili, duke prezantuar në mediat sociale këtë kandidim, veç tjerash ka shkruar:

“Jam rritur në Zyrih, fëmijë i një familjeje emigrantësh. Kam bërë shkollimin në Altstetten dhe Albisrieden dhe ende luaj rregullisht futboll me miqtë e mi në lagje. Herë pas here, madje shikojmë ndonjë ndeshje futbolli në Letzigrund. Duhet pranuar, me një preferencë të lehtë për klubin e qytetit.

Pas përfundimit të trajnimit tim tregtar, fillova karrierën në qendrën financiare të Zyrihut. Sot, jam Drejtor Financiar i kompanisë jofitimprurëse të trajnimit libs, e vendosur në Zyrihun Verior, ku mbështesim 1,500 praktikantë në industritë mekanike, elektrike dhe metalike në karrierën e tyre.

E dua atë që bëj dhe e dua këtë qytet. Dhe kam rrënjë të thella këtu. Qyteti ka qenë thjesht vetëm i administratuar për vite me radhë. Pa guxim. Pa ngjyrë. Pa shpirt. Dua që Zyrihu të vazhdojë të zhvillohet. Që Zyrihu më në fund të perceptohet si një metropol. Prandaj, dua një qytet që ka një ndjenjë qëllimi. Një fund të mënyrës administrative të viteve të fundit. Nëse duam të jemi të rëndësishëm, duhet të jemi të dukshëm dhe të dëgjueshëm. Të dukshëm dhe të dëgjueshëm si një qytet kozmopolit, i larmishëm, krijues dhe i guximshëm. Kjo kërkon lidership – me vizion, empati dhe entuziazëm…”, – shkruan veç tjerash kandidati i FDP-së për kryebashkiak të Zyrihut, Përparim Avdili./(BalkanWeb)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu