
Në emisionin “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu në një lidhje nga struktura lëvizëse e emergjencave civile në Vlorë bëri një raportim të situatës së krijuar nga përmbytjet në vend.
“Kemi dy fronte në këto momente: Situatën e vështirë të shkaktuar në Durrës, Sukth, Shijak, Katund të ri si pasojë e derdhjes së lumit Erzen; Dhe nga ana tjetër menaxhimi i situatës në grykë-derdhjen e Vjosës, ku ka pasur prurje shumë të mëdha dhe nga ana tjetër kemi kryer evakuime të mëdha të banorëve në zonat përreth. Dhe në këto momente evakuimet sporadike vijojnë.
Ajo që mund të them është se do të kemi një mbrëmje gatishmërie të plotë.
Aktualisht janë rreth 500 trupa të dislokuara në zonat e caktuara. Kemi një angazhim edhe në Tiranë për situatën e krijuar nga zjarri i madh që ka rënë atje.
Kemi pasur evakuime në Durrës, në Kurbin, Thumanë, në Katund të ri dhe Sukth, në Fier dhe Vlorë, dhe të një familjeje në Gjirokastër.
Nga të dhënat e fundit numri i të evakuarve janë rreth 500 banorë. Në urën e Mifolit kemi një stabilizim të situatës dhe kjo reflektohet pas disa orësh”, u shpreh ndër të tjera ministri Pirro Vëngu./Oranews






