Reshjet e dendura të shiut gjatë fundjavës kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Maqedonise se Veriut, ndërsa situata më e rëndë raportohet në Kërçovë dhe Gostivar, ku autoritetet kanë angazhuar ekipet e emergjencës gjatë gjithë natës.

Sipas Qendra për Menaxhimin e Krizave, në rrugën Prilepska në Kërçovë janë regjistruar përmbytjet më të mëdha të banesave dhe rreth 220 persona janë evakuuar, duke u strehuar në sallën sportive “Hristo Uzunov”. Uji ka depërtuar edhe në bodrumet e disa shtëpive në lagjen Podvaros, ndërsa përmbytjet kanë prekur edhe objektet e spitalit lokal.

Fshati Forino konsiderohet ndër zonat më të goditura, ndërsa sipërfaqe të mëdha bujqësore janë përmbytur edhe në Çajle, Turçane, Vrapçisht dhe Belovishte. Probleme janë raportuar edhe në komunën e Likovës, ku lumi Slupçanska doli nga shtrati, si dhe në rajone të tjera me toka bujqësore të mbuluara nga uji.

Ndërkohë, Administrata Hidrometeorologjike paralajmëron se nivelet e larta të lumenjve vazhdojnë të paraqesin rrezik për tejmbushje. Lumi Vardar në rrjedhën e sipërme ka arritur kuota shumë të larta dhe rreziku mbetet aktiv, ndërsa situatë kritike paraqitet edhe përgjatë lumit Treska. Rritje e nivelit të ujit është vërejtur edhe në lumin Crna, ku priten formacione lokale liqenore në rajonet Demir Hisar dhe Pelagonia.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes gjatë lëvizjes pranë shtretërve të lumenjve dhe luginave, pasi niveli i ujit pritet të mbetet i lartë edhe gjatë ditës. Në disa zona janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa ekipet po punojnë për rikthimin e furnizimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu