Kryeministri Edi Rama u shpreh pasditen e sotme gjatë një aktiviteti të organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, u shpreh se jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë shqiptarët, ka vetëm një mënyrë për të realizuar atë që Arbën Xhaferri, e quan integrimi në sistemin e vlerave europiane: orientimi i shikimit nga e ardhmja dhe të parit të të shkuarës me sytë e së ardhmes.
Sipas Kryeministrit, mënyrë e të parit, e bën sistemin e vlerave europiane, për ta bërë një sistem garancish dhe mirëqënie.
“Kjo e bën sipas meje diferencën mes atyre që me fjalë, me një rendje të mahnitshme ia kalojnë njëri tjetrit, për të thënë se e ardhmja do të jetë më e mirë se e shkuara, por shumica me vepra e mbajnë të ardhmen peng të së shkuarës”, tha Rama.
Në vijim, Kryeministri e konsideroi Arbën Xhaferrin dhe Ali Ahmetin si kokat e Shqiponjës së Ohrit.
“Sa herë takoj Ali Ahmetin, kur e takoj diku tjetër duhet ta pyes 3 herë që të përgjigjet 3 minuta, ndërsa kur vjen këtu s’ka nevojë ta pyes, sepse Aliu vetëm flet. Dhe siç duket është inspirimi më i madh që i sjell baza ilegale e luftës çlirimtare, Tirana, kështu ka qenë apo jo”, tha Rama, duke iu drejtuar Ali Ahmetit që ndohej në sallën ku organizohej aktiviteti.
Dhe në vijim duke iu drejtuar Ali Ahmetit, Kryeministri u shpreh “janë kohëra të vështira dhe s’dimë si do e marrin këtë që sapo thashë, sepse siç thuhet ‘mora pushkën mora malit të luftoja për atdhe ku ta dija unë i shkreti që armiku ishim ne’.
Unë uroj që ti të mos biesh kurrë hero se na duhesh, se rruga është akoma e gjatë”.
Duke folur për çështjen e gjuhës shqipe, Rama theksoi se për mendimin tim në Maqedoninë e Veriut, kjo çështjes është në një kontest të pakuptueshëm për mua në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
“Unë nuk them që udhëheqësit e Gjykatës Kushtetuese e kanë gabim, por mendoj që çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetare në Maqedoninë e Veriut nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është një çështje e ligjeve e vullneteve të përkohshme, të partive politike.
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë, një mënyrë të të parit mes maqedonasve dhe shqiptarëve, për shtetformim, në një sens që siç e tregon Arbën Xhaferri, në sensin e integrimit të dy popujve shtetformues në sistemin e vlerave perëndimore, dhe kjo është shumë e madhe që të futet në labirinthet e ligjeve”, tha Rama./balkanweb