
Gjykata Kushtetuese zhvilloi këtë të martë (10 shkurt) seancën për shqyrtimin e kërkesës së opozitës, ku grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, të miratuara nga mazhoranca me votim të njëanshëm.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, përfaqësoi palën paditëse, i shoqëruar nga avokati Marash Logu. Në relacionin e tij, Bardhi deklaroi se qëllimi i këtyre ndryshimeve ka qenë përjashtimi i plotë i opozitës nga proceset parlamentare, veçanërisht nga ai i integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas tij, Rregullorja e Kuvendit ka të njëjtën fuqi detyruese për parlamentin si ligji organik për Gjykatën Kushtetuese, ndaj çdo shkelje e saj cenon funksionimin demokratik të institucionit.
“Shumë nga të drejtat e deputetëve që janë të sanksionuara në Kushtetutë nuk mund të ushtrohen pa rregullat e Rregullores. Qëllimi ka qenë që opozita të përjashtohet tërësisht nga procesi i integrimit,” u shpreh Bardhi gjatë seancës.
Akuzat: Kufizim i fjalës dhe i rolit të opozitës
Kreu i grupit demokrat denoncoi gjithashtu kufizimin e kohës së fjalës për deputetët, reduktimin e përfaqësimit në komisione dhe heqjen e drejtimit të disa prej tyre, përfshirë Komisionin e Integrimit.
Ai theksoi se opozitës i janë refuzuar kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore dhe se shqyrtimi i projektligjeve brenda një dite e bën praktikisht të pamundur paraqitjen e amendamenteve.
Një tjetër shqetësim, sipas Bardhit, lidhet me tentativën e mazhorancës për ta kthyer në institucion të përhershëm një komision që opozita e kishte bojkotuar, duke e konsideruar si ndërhyrje në organet e drejtësisë.
Çfarë kërkon konkretisht PD?
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e firmosur nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, Partia Demokratike kërkon:
- Shfuqizimin e vendimit nr. 57, datë 16.09.2025, për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, si të papajtueshëm me Kushtetutën;
- Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij vendimi deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës.
Sipas opozitës, ndryshimet cenojnë ndarjen e pushteteve, janë miratuar me procedurë të përshpejtuar në kundërshtim me afatet ligjore dhe kanë kufizuar lirinë e shprehjes së deputetëve.
Demokratët paralajmërojnë se, nëse këto ndryshime mbeten në fuqi, deputetët e pakicës nuk do të jenë pjesëmarrës efektivë në veprimtarinë parlamentare deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i kësaj të fundit pritet të jetë përcaktues jo vetëm për funksionimin e Kuvendit, por edhe për raportet mes shumicës dhe opozitës në një moment kyç për procesin e integrimit europian të vendit.






