
Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku një efektiv policie shfaqet duke konsumon lëndë narkotike, ngjarje që ka ngjallur reagime të forta publike.
Në deklaratën zyrtare, policia sqaron se punonjësi në fjalë, Xhovano Tuçi, ishte përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit më 3 korrik 2025, për shkelje të rënda disiplinore.
Më herët, ndaj tij ishin marrë masa të tjera disiplinore për mungesa të pajustifikuara dhe sjellje jo të përshtatshme, përfshirë shtyrjen e gradimit për 3 muaj. Vendimi për përjashtimin e tij është konfirmuar edhe nga Komisioni i Apelimit më 25 korrik 2025.
Pas publikimit të videos së fundit ku dyshohet se oficeri konsumon kokainë, strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe të Policisë së Shtetit kanë nisur verifikime të reja. Materialet për rastin do t’i referohen Prokurorisë për hetim të mëtejshëm penal.
Policia e Shtetit thekson se është e vendosur të largojë çdo efektiv që cenon integritetin e institucionit dhe besimin e qytetarëve.
/vizionplus.