
Një situatë e pazakontë ka ndodhur në bordin e një avioni të American Airlines që po udhëtonte nga San Juan (Puerto Riko) drejt Dallas, Texas. Fluturimi AA 1847 u detyrua të kthehej menjëherë në aeroportin ndërkombëtar Luis Muñoz Marín, pasi një pasagjere e frikësuar ngriti alarmin duke dyshuar për një rrezik të mundshëm.
Sipas mediave amerikane, gruaja lexoi disa mesazhe në telefonin e një bashkëudhëtari dhe gabimisht i interpretoi ato si një kërcënim për sigurinë e fluturimit. Në panik, ajo njoftoi ekuipazhin, i cili sipas protokollit ndërhyri dhe vendosi të rikthejë avionin në aeroport për të garantuar sigurinë e pasagjerëve.
Pas uljes emergjente, autoritetet e sigurisë kontrolluan situatën dhe konfirmuan se nuk kishte asnjë kërcënim real. Pasagjeri i dyshuar rezultoi i pafajshëm, ndërsa pasagjerët e tjerë u transferuan në një fluturim tjetër.
Ky incident nxori në pah sa lehtësisht mund të shpërthejë paniku në avion dhe rëndësinë e ndjekjes me kujdes të procedurave të sigurisë, por edhe të ruajtjes së qetësisë.