Përfundon rinumërimi në Tiranë, anëtarët e KAS: Shërbeu për transparencë, s’ka trafikim votash
Rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në qarkun e Tiranës u mbyll pas 9 ditësh, pa asnjë surprizë, duke mos ndryshuar as ndarjen e mandateve brenda partive politike dhe as mandatet mes subjekteve.

Për dy prej anëtarëve të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, Koli Bele dhe Ledio Braho, procesi shërbeu më shumë për të bërë transparencë, duke hedhur poshtë akuzat e kandidatëve për parregullsi në numërimin e parë.

Koli Bele, anëtar i KAS, u shpreh: “Për mua nuk duhej të zhvillohej fare. Nuk prodhoi asnjë ndryshim dhe rezultat”.

Ledio Braho, anëtar i KAS, tha: “Transparenca i shërben demokracisë. Pavarësisht se nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash që të bëjnë pis procesin. Disa nga qëndrimet e kandidatëve tregojnë se i kanë shërbyer procesit”.

Demokratët që kërkuan rinumërimin dolën nga procesi me 612 vota më pak në krahasim me procesin fillestar, ndërsa PS reduktoi rezultatin me 380 vota. Ndryshime brenda marzhit të gabimit njerëzor, vlerësojnë dy anëtarët e KAS, duke pohuar se nuk ka vend për të ndjekur rrugë të tjera ligjore.

“Nuk kemi më akuza për trafikim votash në subjekte. Ato lëvizje që reflektohen dhe konsiderohen si vjedhje dhe manipulim nuk janë të tilla por gabime njerëzore apo çështje fletësh që janë të diskutueshme në lidhje me qëndrimin se kujt i takojnë”, theksoi Braho.

Koli Bele u shpreh: “Numëruesit kanë pasur presion dhe kanë qenë të lodhur, gabimet janë të kuptueshme”.

Tashmë me mbylljen e procesit të rinumërimit në Tiranë, do të nisë hapja e kutive dhe për qarkun e Fierit dhe Durrësit, për të verifikuar dhe në këto qarqe numërimin e parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu