Pas takimit të djeshëm që zgjati rreth 6 orë, kryeministri Edi Rama e vijoi analizën e punës edhe këtë të shtunë (8 mars) me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në ‘Pallatin e Brigadave’.

Mbledhja ka nisur në orën 13:00 dhe përfundoi pas 7 orësh. Në mbyllje të saj u panë edhe makinat e drejtuesve të PS-së duke dalë nga Pallati i Brigadave.

Fokus i analizës mes socialistëve ka qenë fushata elektorale, por burime nga mbledhja thanë se është diskutuar edhe për diasporën.

Një pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe dorëzimi i propozimeve për kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa listat me kandidatët për deputetë dorëzohen më 12 mars.

Në takimin e së premtes u diskutua vetëm për programin elektoral në çdo sektor dhe se cila do të jete qasja në takime publike me qytetarët.

Një tjetër sfidë e rëndësishme për Partinë Socialiste është edhe përmbyllja e listës së kandidatëve për 12 qarqet, e cila duhet të dorëzohet në KQZ brenda 12 Marsit.

Kreu i qeverisë do të kalojë në sitë angazhimin e gjithsecilit për të bërë një vlerësim të punës së deritanishme, para se të vendosë edhe për skuadrën e kandidatëve./shqiptarja

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu