Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet zyrtare. Sipas tyre, fituese e zgjedhjeve del Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Nga rezultatet përfundimtare, Vetëvendosje renditet e para me një diferencë të theksuar nga partitë e tjera, duke u ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës në vendin e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës në vendin e tretë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vendin e katërt.
Rezultatet zyrtare sipas KQZ-së:
- Lëvizja Vetëvendosje: 49.79%
- PDK: 21.18%
- LDK: 13.77%
- AAK: 5.74%
- Lista Serbe: 3.87%
- Nisma Socialdemokrate: 1.72%
Sipas të dhënave zyrtare, mbeten ende rreth 60 mijë vota pa u numëruar, çka lë të hapur diskutimin mbi konfigurimin përfundimtar të Kuvendit dhe mënyrën se si do të formohet qeveria e re.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u zhvilluan të dielën, më 28 dhjetor, ku mbi 1.9 milionë qytetarë kishin të drejtë vote. Procesi u mbajt në 910 qendra votimi, me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00. Sipas vlerësimeve paraprake, pjesëmarrja në votime ishte rreth 45%.
Këto zgjedhje u organizuan pas një periudhe të gjatë krize politike, të shoqëruar me mungesën e një qeverie funksionale, pasi partitë politike nuk arritën të krijonin një koalicion pas zgjedhjeve të mëparshme. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili votoi në Prishtinë, deklaroi më herët se dështimi i negociatave politike e bëri të domosdoshëm rikthimin e vendimmarrjes tek qytetarët përmes votës.
Rezultatet pritet të përcaktojnë balancat e reja politike në Kosovë dhe hapin rrugën për negociatat mbi formimin e qeverisë së ardhshme.




