
Përfundon ëndrra europiane për Egnatian, eliminohen në
Kampionia e Shqipërisë, Egnatia, u eliminua nga raundi i tretë kualifikues i UEFA Conference League, pas një ndeshjeje dramatike kundër Olimpija Ljubljanës që përfundoi me rezultatin 2-4 pas kohës shtesë.
Ndeshja në Rrogozhinë nisi në mënyrën më të mirë për skuadrën shqiptare, me golin e hershëm të Lushkjas në minutën e 6-të që ndezi shpresat e kualifikimit, pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë në Slloveni. Megjithatë, miqtë reaguan shpejt me Jelenkovic që barazoi në minutën e 32-të.
Në pjesën e dytë, tensioni u rrit dhe Olimpija kaloi në epërsi në minutën e 79-të me golin e Marin. Por Egnatia nuk u dorëzua. Me gjithë vështirësitë, përfshirë ndëshkimin me karton të kuq të Yahaya M. në minutën e 81-të, skuadra e Edlir Tetovës arriti të barazojë rezultatin në 2-2 me një gol nga Lushkja në minutën e 86-të, duke çuar sfidën në kohën shtesë.
Në shtesë, lodhja dhe mungesa e një lojtari u ndjen. Olimpija shënoi edhe dy herë të tjera me Durdov (99′) dhe Blanco (107′), duke mbyllur llogaritë përfundimisht dhe duke i dhënë fund ëndrrës evropiane të Egnatias për këtë sezon.
/Tema