
Trajneri spanjoll akuzohet se u mbështet te inteligjenca artificiale për programet stërvitore
Ish-trajneri i kombëtares së Spanjës, Roberto Moreno, është shkarkuar nga detyra e trajnerit të FC Sochi, pasi drejtuesit e klubit rus konstatuan se ai përdorte në mënyrë të tepruar inteligjencën artificiale, konkretisht ChatGPT, për hartimin e programeve stërvitore.
Sipas drejtuesve të klubit, përdorimi i vazhdueshëm i AI-së e kishte bërë Morenon të “injoronte arsyen e shëndoshë” në menaxhimin e skuadrës. Trajneri 48-vjeçar mori drejtimin e FC Sochi në vitin 2023, por sezoni i parë u mbyll me rënien e ekipit nga Premier Liga Ruse në maj 2024.
Edhe pse klubi u rikthye në elitën e futbollit rus, drejtuesit vunë re se Moreno vazhdonte të mbështetej pothuajse plotësisht te inteligjenca artificiale për planifikimin e punës në stol.
Ish-drejtori sportiv i klubit, Andrei Orlov, tregoi se një nga episodet më të pazakonta ndodhi gjatë një udhëtimi në transfertë ndaj SKA-Khabarovsk, në mars të vitit të kaluar. Sipas tij, Moreno kishte përgatitur programin e stërvitjes me ndihmën e ChatGPT-së, duke parashikuar që lojtarët të qëndronin deri në 28 orë pa gjumë.
“Lojtarët nuk arrinin ta kuptonin pse duhej të zgjoheshin në orën 5:30 të mëngjesit dhe të stërviteshin deri në orën 7:00”, deklaroi Orlov.
Roberto Moreno drejtoi FC Sochi vetëm në shtatë ndeshje. Gjatë karrierës së tij, ai ka pasur edhe një eksperiencë të shkurtër në krye të kombëtares së Spanjës në vitin 2019.



