Sekretari Amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., pritet të shpallë se përdorimi i ilaçit Tylenol gjatë shtatzënisë mund të jetë i lidhur me autizmin, sipas një raportimi të Wall Street Journal që citon burime të afërta me çështjen, pa paraqitur prova shkencore për këtë pretendim.

Raporti gjithashtu përmend se Kennedy do të sugjerojë përdorimin e acidit folinik, një derivat i acidit folik, si trajtim për disa simptomave të autizmit.

Pas publikimit të lajmit, aksionet e kompanisë Kenvue, prodhuesit të Tylenol, ranë me 14 për qind.

Kenvue deklaroi se nuk ka lidhje shkakësore mes përdorimit të Tylenol gjatë shtatzënisë dhe autizmit, dhe rekomandoi që gratë shtatzëna të konsultohen me profesionistët e shëndetit para përdorimit të medikamenteve pa recetë. Kompania shtoi se FDA dhe organizatat kryesore mjekësore mbështesin sigurinë e acetaminofenit kur përdoret siç duhet gjatë shtatzënisë.

Kennedy ka premtuar të gjejë shkakun e autizmit dhe më herët ka sugjeruar se mund të lidhet me vaksinat apo ndonjë toksinë mjedisore, megjithëse nuk ka prova shkencore për këto pretendime. Deri më sot, shkenca nuk ka arritur të përcaktojë një shkak të qartë për autizmin.

Nën drejtimin e tij, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë po zhvillon një nismë të quajtur Autism Data Science Initiative, që synon të analizojë të dhëna të mëdha për të identifikuar faktorë të mundshëm kontribues dhe për të vlerësuar efektet e trajtimeve ekzistuese. Deri tani janë dorëzuar mbi 100 propozime kërkimore dhe pritet që deri në fund të shtatorit të shpallen deri në 25 fitues të granteve.

Raporti i WSJ mund të theksojë se nivelet e ulëta të acidit folik dhe përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë mund të jenë faktorë të mundshëm për zhvillimin e autizmit. Megjithatë, ekspertë si Dr. David Mandell nga Universiteti i Pensilvanisë kanë shprehur skepticizëm, duke thënë se raporti duket se po ripërsërit kërkime ekzistuese.

Në dhjetor 2023, një gjykatës federal hodhi poshtë qindra padi që pretendonin se Tylenol shkakton autizëm, duke ndaluar dëshmitarët ekspert për mungesë provash. Të gjitha rastet u pushuan në vitin 2024, por një gjykatë apeli pritet të shqyrtohet së shpejti.

Grupi anti-vaksinë Children’s Health Defense, dikur i drejtuar nga Kennedy, ka postuar disa herë për këtë temë në rrjetin X, duke cituar studime që sugjerojnë një lidhje të mundshme mes acetaminofenit dhe çrregullimeve neurozhvillimore. Megjithatë, studime të tjera, përfshirë një të vitit 2024 me 2.4 milionë fëmijë në Suedi, nuk kanë gjetur prova për një lidhje shkakësore.

Christopher Zahn, nga Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve, deklaroi se nuk ka prova të qarta që përdorimi i kujdesshëm i acetaminofenit gjatë shtatzënisë shkakton probleme në zhvillimin e fetusit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu