
Nga ora 09:00 e mëngjesit të sotëm u mbajtën homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra me armë zjarri ditën e hënë në sallën e seancave në Gjykatën e Apelit.
Që në orët e para të mëngjesit, në ambientet e pallatit kanë mbërritur personalitete të shumta nga sistemi i drejtësisë dhe politika, për të nderuar figurën e gjyqtarit Kalaja. Të pranishëm në homazhe janë parë: prokurorë, kolegë, avokatë, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve dhe politikës shqiptare.
Pjesë e homazheve ishte edhe deputeti i PD-së Arjan Ndoja, ish-prokuror, Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë, si dhe kryeministri Edi Rama.
I pranishëm ishte edhe Maksim Haxhija, kreu i Dhomës së Avokatëve, i cili pas homazheve dha një deklaratë për mediat. Ai u shpreh se gjyqtarët janë të demotivuar, ndërsa shtoi se kjo situatë duhet analizuar edhe tek vetë avokatët, “të cilët u japin më shumë shpresë klientëve sesa duhet”.
Zoti Haxhija theksoi gjithashtu se komuniteti i avokatëve do të vazhdojë bojkotin deri në një analizë të thellë të situatës dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar ngjarje tragjike si kjo.
Përcillet për në Shkodër arkëmorti i gjyqtarit! Kreu i
“Lamtumirë njeriut të ligjit, shërbëtorit të drejtësisë e profesionistit të spikatur, Astrit Kalaja. Kontributi i tij i çmuar do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit dhe në shtetin e së drejtës. Ngushëllime për familjen, kolegët, trupën gjyqësore dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Astritin. Prehu në paqe mik i dashur!”, shprehet ministri Lamallari.
Më pas, trupi i gjyqtarit Astrit Kalaja u nis drejt qytetit të tij të lindjes, Shkodër, ku do të mbahen homazhe të tjera nga ora 14:00 deri në 16:00, për t’u varrosur më pas në qytetin e tij.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes sigurinë në ambientet e institucioneve të drejtësisë, ndërsa kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi masat e sigurisë në gjykata.
Dinamika e ngjarjes
Ngjarja ka ndodhur më 7 tetor, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Rreth orës 13:42, shtetasit Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në gjykatë duke kaluar nëpërmjet pajisjes së skanimit (detektor metalesh), e cila ka sinjalizuar prezencën e objekteve metalike.
Pavarësisht alarmit, punonjësi i sigurisë Banush Koxha nuk ka kryer kontroll fizik dhe as ka regjistruar hyrjen e tyre në librin e protokollit, siç parashikon procedura standarde.
Dy shtetasit kanë qëndruar në hollin e pritjes deri në orën 15:29, kur janë futur në sallën e gjyqit nr. 3. Vetëm 6 minuta më pas, në momentin që gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, Elvis Shkambi ka nxjerrë një pistoletë nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit./oranews