
Tiranë, 22 janar 2026 – Partia Demokratike nuk e votoi hedhjen për votim në mënyrë të përshpejtuar të projektligjit për ratifikimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të hapur të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se seanca plenare është thirrur në kundërshtim me rregulloren, pa njoftimin e detyrueshëm paraprak, ndërsa sipas tij, e gjithë procedura po përdoret për qëllime propagandistike.
“Pse do duhet ju të shkelni rregulloren? Pse nuk e nisët ju, zoti kryetar, me një ndjesë për deputetët që keni shkelur rregulloren e Kuvendit?”, tha Bardhi, duke theksuar se seanca duhej të njoftohej të paktën dy ditë përpara.

Sipas Bardhit, opozita nuk është kundër përmbajtjes së projektligjit, por kundër mënyrës se si po tentohet të kalohet ai.
“Ne jemi kundër shqyrtimit të përshpejtuar të këtij projektligji, pa respektuar asnjë rregull minimal të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të rregullores së Kuvendit”, deklaroi ai.
Bardhi akuzoi mazhorancën se po vepron me “komandë politike”, për të mbuluar çështje të tjera të ndjeshme, përfshirë zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese dhe aferat që lidhen me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Keni marrë komandën e shefit tuaj, i duhet kjo propagandë sot”, u shpreh Bardhi nga foltorja.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili deklaroi pas seancës se ajo që po ndodh në Kuvend nuk është procedurë e përshpejtuar, por një akt që shkel drejtpërdrejt Kushtetutën.
“Kjo nuk është procedura e përshpejtuar. Kushtetuta e ndalon që ajo të jetë më e shkurtër se një javë nga iniciativa”, tha Berisha.

Sipas tij, nxitimi për votim lidhet me përpjekje për të mbuluar atë që ai e cilësoi si “grusht shteti” ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe për të mbrojtur Belinda Ballukun.
“Kemi të bëjmë me një akt kuverturë për grushtin e shtetit që po bën Edi Rama”, deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër, mazhoranca i hodhi poshtë akuzat e opozitës. Në replikë ndaj Bardhit, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cilësoi deklaratat e PD-së si “teatër politik” dhe kërkoi kalimin e menjëhershëm në votim.
“Këtë teatrin me këto deklaratat, këtë teatrin se gjoja na paske gjetur një zgjidhje procedurale”, tha Balla, duke theksuar se procedura nuk është bllokuar pasi kanë ardhur amendamente.

Ai sqaroi se në çështjet që lidhen me angazhime ndërkombëtare, institucioni i Presidentit të Republikës është i përfshirë dhe se të gjitha dokumentet përkatëse janë pjesë e dosjes.
“Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Edhe Kryeministri vetë duhet të marrë menjëherë detyrat që burojnë nga pjesëmarrja në këtë Kartë të Bordit të Paqes”, deklaroi Balla.
Debati i ashpër në Kuvend nxori në pah përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës jo mbi parimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes, por mbi procedurën dhe afatet kushtetuese të ratifikimit të saj.






