
Skeleti i Saint Francis of Assisi do të ekspozohet për herë të parë plotësisht për publikun, në një ngjarje që pritet të tërheqë qindra mijëra vizitorë në qytetin italian të Asizit.
Mbetjet e shenjtorit të shekullit XIII po shfaqen brenda një kutie të mbushur me azot, me mbishkrimin latin “Corpus Sancti Francisci”, në Bazilika e Shën Françeskut të Asizit, ndërtuar në nder të tij.
Shën Françesku, i cili ndërroi jetë më 3 tetor 1226, themeloi Urdhrin Françeskan pasi hoqi dorë nga pasuria e tij dhe ia kushtoi jetën të varfërve.

Ekspozim për një muaj
Mbetjet do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 22 mars. Edhe pse trupi i tij u transferua në bazilikë që në vitin 1230, varri u rizbulua vetëm në vitin 1818 pas gërmimeve të kryera në fshehtësi të plotë.
Përveç zhvarrimeve të mëparshme për inspektim dhe ekzaminime shkencore, kockat e shenjtorit janë ekspozuar vetëm një herë tjetër, në vitin 1978, për një audiencë shumë të kufizuar dhe vetëm për një ditë.
Këtë herë, reliket janë vendosur në një kuti transparente të mbyllur hermetikisht, e cila ndodhet brenda një strukture tjetër xhami antiplumb dhe kundër vjedhjes. Kamerat e sigurisë do të funksionojnë 24 orë në ditë.

Priten deri në 400 mijë vizitorë
Sipas organizatorëve, rezervimet për vizita kanë arritur pothuajse në 400 mijë persona nga e gjithë bota, me pjesëmarrje të lartë nga Italia, por edhe nga Brazili, Amerika e Veriut dhe Afrika.
Normalisht, gjatë kësaj periudhe, bazilika vizitohet nga rreth 1,000 persona në ditë gjatë javës dhe 4,000 në fundjavë. Për muajin e ekspozimit, pritet që numri të rritet në 15,000 vizitorë në ditët e javës dhe deri në 19,000 gjatë fundjavës.
Autoritetet kishtare theksojnë se ekspozimi i zgjatur nuk do të ndikojë në gjendjen e ruajtjes së mbetjeve, pasi kutia është e izoluar nga ajri i jashtëm dhe ndriçimi në bazilikë do të mbetet i zbehtë.
Shën Françesku është shenjtori mbrojtës i Italisë dhe më 4 tetor do të rikthehet si festë zyrtare, në kuadër të përkujtimit të 800-vjetorit të vdekjes së tij.



