Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke deklaruar se shqiptarët kanë detyrimin të ngrihen për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në një dalje për mediat, ai akuzoi Kuvendin aktual se është “më armiqësori ndaj interesave të qytetarëve në 32 vite pluralizëm”.

“Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit është parlamenti më armiqësor ndaj shqiptarëve në historinë 32-vjeçare. Është ai që miratoi qeverinë dhe programin e saj për 28 minuta. Ai që shkelmon ligjin dhe Kushtetutën për të mbyllur seancat pa diskutime dhe refuzon interpelancat e kryeministrit,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, mazhoranca socialiste po përpiqet të mbyllë zërat kritikë dhe të shmangë kontrollin parlamentar. “Në komisione, deputetët socialistë qëndronin para Altin Troplinit e të tjerëve plot frikë. Nuk lejonin të flitej, ndërhynin për çdo fjalë. Është një skenë për Netflix, origjinale”, tha ai me ironi.

Berisha shtoi se pavarësisht përpjekjeve për ta penguar publikimin e raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë mbi zgjedhjet, “e vërteta triumfoi”.

“Raporti është në ueb dhe ka çdo fjalë e presje të dokumentit fillestar. Është një bazë e fuqishme shprese që shqiptarët të ecin drejt zgjedhjeve të lira. Asgjë nuk do ta ndalë përpjekjen tonë për rikthimin e votës së lirë te shqiptarët,” përfundoi ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu