Princ Harry u pa të mërkurën pasdite duke mbërritur në Clarence House, ku zhvilloi një takim privat me Mbretin Charles – takimi i parë ballë për ballë mes tyre që nga shkurti 2024.

Buckingham Palace konfirmoi se takimi zgjati rreth 50 minuta dhe u shoqërua me një çaj privat mes babait dhe djalit, në një moment që shihet si hap i parë drejt afrimit dhe ndërtimit të besimit pas një periudhe të gjatë ftohtësie familjare.

I pyetur nga gazetarët pas largimit, Harry tha shkurtimisht për shëndetin e të atit: “Po, është shumë mirë.”

Ky ribashkim vjen pas dëshirës së shprehur publikisht nga Harry, i cili në një intervistë për BBC në maj tha se do të donte “pajtim me familjen time”. Hera e fundit që ata u takuan ishte menjëherë pas diagnostikimit me kancer të Mbretit vitin e kaluar.

Megjithatë, nuk ka patur shenja të një takimi mes Princit Harry dhe vëllait të tij, Princit William, i cili këtë javë ka pasur angazhime të ndara me Kate Middleton.

Princi Harry ndodhet në Britani për një sërë aktivitetesh bamirësie dhe do të largohet të enjten për në SHBA, ku e presin Meghan dhe fëmijët e tyre.

Ky takim shënon një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për të shuar tensionet brenda familjes mbretërore britanike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu