
Nga Klevin Muka
Një bilanc i zi, i heshtur dhe i dhimbshëm rëndon mbi një nga profesionet më të përhapura dhe më të nënvlerësuara në Shqipëri: kamarierët. Në 11 vitet e fundit, të paktën 7 të rinj dhe të reja kanë humbur jetën në rrethana të dhunshme, ndërsa ishin në vendin e punës. Emra të ndryshëm, qytete të ndryshme, por një e përbashkët tragjike – u vranë teksa përpiqeshin të fitonin bukën e gojës.
Të rinj në moshë, në lule të jetës, pa asnjë armë tjetër veçse përpjekjes për të punuar ndershëm, u bënë viktima të një shoqërie që shpesh i lë të pambrojtur punëtorët e saj. Prindër që nuk e morën dot veten, familje të copëtuara, fëmijë që sot rriten pa prind, në pritje të një drejtësie që shpesh vonon, ose mungon krejtësisht.
Ja kronologjia e këtyre ngjarjeve të rënda që ende nuk kanë marrë vëmendjen dhe reagimin e merituar:
- 14 gusht 2014 – Denis Vyshka, 28 vjeç, kamarier në Dhërmi, vritet brutalisht nga dy pronarët e restorantit, të cilët e akuzonin për vjedhje. Ai u torturua për tre orë, ndërsa një goditje me hanxhar i mori jetën.
- 29 shtator 2015 – Gentian Bajraktari, 21 vjeç, kamarier në Elbasan, qëllohet për vdekje vetëm sepse “vonoi picën”.
- 27 qershor 2021 – Musaen Zeneli, 20 vjeç, vritet në Velipojë pas një përplasjeje të dhunshme mes pronarëve për shezlongët.
- 4 tetor 2021 – Gazment Kurmaku, kryekamarier në kompleksin “Fish City” në Elbasan, dhunohet për vdekje sepse nuk lejoi një “klient problematik” të ulej në një tavolinë të rezervuar.
- 12 mars 2023 – Mimoza Paja, kamariere në zonën e Laprakës në Tiranë, bie viktimë e një atentati me armë zjarri. Ajo punonte për të mbajtur familjen dhe kishte me vete mbesën e saj.
- 5 qershor 2024 – Eraldo Nevruzi, recepsionist në “Hotel Greccia”, Dhërmi, vritet nga pronari vetëm një javë pasi kishte nisur punën.
- 20 korrik 2024 – Gledjan Muka, 36 vjeç, kamarier në Memaliaj, bie viktimë në një masakër me armë zjarri. Plumbat nuk ishin për të, por ai pagoi me jetë.
Këto nuk janë thjesht statistika, por jetë të humbura. Çdo emër i kësaj liste përfaqëson një djalë a vajzë, një ëndërr të këputur në mes. Çdo ngjarje është një alarm i fortë për sigurinë në punë, për trajtimin e punonjësve me dinjitet dhe për mungesën e reagimit institucional ndaj dhunës së shfrenuar.
U prehshin në paqe!