“Pensionet, Drejt Shqipërisë 2030” ishte diskutimi publik i radhës i zhvilluar sot në mjediset e Kryeministrisë nën drejtimin e Kryeministrit Rama me fokus rëndësinë e luftës kundër informalitetit të pagave, si armiku kryesor i pensioneve.
“Është i domosdoshëm një front i madh përbashkët shoqëror mes qeverisë, kompanive dhe individëve sepse sigurimet shoqërore nga të cilat buron pastaj fondi i pensioneve janë një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe moral i patjetërsueshëm për të krijuar mundësinë që zinxhiri i solidaritetit të funksionojë që do të thotë që sigurimet shoqërore janë detyrimi i parë i kujtdo që merr një pagë dhe ai detyrim sapo shlyhet shkon direkt tek dikush që merr një pension.” – theksoi ndër të tjera kryeministri lidhur me procesin në tërësi.”
Ndërsa Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, pjesë e grupit drejtues të punës për pensionet tha se “Është me një rëndësi të jashtëzakonshme që të garantojmë, që çdo punëdhënës të ndërgjegjësohet dhe t’i paguajë kontributet dhe t’i japë atë që i takon çdo punëmarrësi, aq sa janë dakordësuar, për aq sa është puna ligjërisht.”
Të njëjtën rëndësi theksoi edhe Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, e cila solli mes shifra dhe fakte masat konkrete të qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit në tërësi, përmes lehtësive fiskale.
Në takim merrnin pjesë edhe drejtues të institucioneve dhe ekspertë, pjesë e grupit drejtues të punës për pensionet.