
Shoqata për Mbrojtjen e Prespës (Society for the Protection of Prespa – SPP) ka lëshuar një thirrje urgjente për mbrojtjen e kolonisë së pelikanëve në një nga ligatinat më të rëndësishme të Greqisë, duke paralajmëruar për pasojat e rënda që po shkakton ulja e nivelit të ujit në liqenin e Prespës shkruan gazeta greke Kathimerini.
Sipas deklaratës së fundit të organizatës, nivelet jashtëzakonisht të ulëta të ujit – të lidhura drejtpërdrejt me krizën klimatike – kanë ekspozuar folenë e pelikanëve ndaj grabitqarëve si derrat e egër, duke çuar në “braktisje masive të foleve” gjatë sezonit të shumimit.
“Uji i tërhequr ka bërë që ishujt ku pelikanët ndërtojnë folenë të jenë të arritshëm për grabitqarët, duke rrezikuar rëndë të gjithë koloninë,” thuhet në njoftim.
Nga inspektimet e fundit në zonë, SPP njofton se janë braktisur të paktën 300 fole të pelikanëve të bardhë të mëdhenj dhe dhjetëra fole të pelikanëve kaçurrelë (Dalmatian pelican), bashkë me zogjtë e tyre të vegjël.
Shoqata kërkon ndërhyrje të menjëhershme me masa konkrete për ruajtjen e kolonisë, si ndërtimi i platformave artificiale për folezim dhe mbikëqyrje e përforcuar për të parandaluar sulmet nga grabitqarët.
SPP apelon për bashkëpunim të menjëhershëm të autoriteteve lokale, organizatave mjedisore dhe institucioneve ndërkombëtare për të shpëtuar një nga kolonitë më të rëndësishme të pelikanëve në Evropë, e cila është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të ekosistemit të Prespës.