Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka vendosur të mos autorizojë përdorimin e bazave ushtarake spanjolle nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e operacionit ushtarak ndaj Iranit, një lëvizje që ka shkaktuar reagime të forta brenda vendit dhe tensione me Uashingtonin.

Bëhet fjalë për bazën detare në Rota dhe bazën ajrore në Morón, dy instalime kyçe për arkitekturën e sigurisë transatlantike dhe për operacionet e në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj vendimit të Madridit, duke kritikuar lidershipin spanjoll dhe duke lënë të kuptohet se SHBA mund të rishikojë marrëdhëniet tregtare me Spanjën.

Sánchez i ka cilësuar sulmet si “veprime të njëanshme”, duke theksuar se përdorimi i bazave kërkon autorizim paraprak nga qeveria spanjolle, sipas marrëveshjes dypalëshe të vitit 1988, e cila njeh sovranitetin e Spanjës mbi këto instalime.

Rrezik për marrëdhëniet brenda NATO-s

Vendimi i Madridit vjen në një moment delikat për aleancën, ndërsa NATO përballet me kriza të shumta, nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme. Analistët paralajmërojnë se qëndrimi i Spanjës mund të perceptohet si një distancim nga konsensusi europian dhe transatlantik.

Baza e Rota-s, që ndodhet pranë Gjibraltarit, është një nga instalimet më të mëdha detare amerikane në Europë dhe luan rol qendror në sistemin e mbrojtjes raketore të NATO-s.

Llogaritë e brendshme politike

Në Madrid, lëvizja e Sánchez shihet edhe si kalkulim politik i brendshëm. Qeveria socialiste është nën presion për shkak të hetimeve për korrupsion dhe humbjeve elektorale, ndërsa partitë e majta aleate kanë kërkuar një qëndrim më të ashpër ndaj SHBA-së dhe Izraelit.

Opozita konservatore e ka akuzuar kryeministrin për “izolacionizëm”, duke paralajmëruar se vendimi mund të dëmtojë pozicionin ndërkombëtar të Spanjës.

Vendimi i Madridit rihap debatin mbi balancën mes sovranitetit kombëtar dhe detyrimeve brenda NATO-s, në një moment kur uniteti i aleancës perëndimore është nën presion./euractiv

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu