
Parlamenti Evropian ka miratuar raportin për strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se procesi i zgjerimit është një përgjigje strategjike ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe një investim i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e BE-së.
Në dokumentin e miratuar nga eurodeputetët theksohet se kostoja e moszgjerimit do të ishte më e lartë sesa pranimi i anëtarëve të rinj në union, pasi kjo do të krijonte zona gjeopolitike të cenueshme nga ndikime të jashtme armiqësore.
Raporti përfshin edhe Kosovën në prioritetet strategjike të zgjerimit, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për përparimin drejt integrimit europian.
“Nënvizohet rëndësia e dialogut Beograd-Prishtinë, i cili është thelbësor që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre drejt Evropës dhe të kontribuojnë në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, thuhet në raport.
Parlamenti Evropian thekson gjithashtu se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit përkatësisht deri në fund të viteve 2026 dhe 2027.
Eurodeputetët i kanë bërë thirrje institucioneve të BE-së të mbështesin këtë momentum pozitiv dhe të heqin çdo pengesë që mund të ngadalësojë procesin e zgjerimit.
Në raport nënvizohet se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të mbetet i bazuar në meritë, ndërsa përputhja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së konsiderohet një parakusht thelbësor për vendet kandidate.



