
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka reaguar pas diskutimeve në Parlamentin Europian mbi raportin vjetor për Shqipërinë, i cili pritet të miratohet nesër me shumicë votash.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla ka theksuar mbështetjen e fuqishme që Shqipëria ka marrë nga grupet kryesore politike në Parlamentin Europian si edhe nga Komisioni Europian për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Ai nënvizon se raporti i këtij viti e pozicionon Shqipërinë në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor sa i takon progresit në këtë proces.
“Mirënjohje grupeve të mëdha politike në PE dhe Komisionit Europian për mbështetjen e qartë të anëtarësimit të Shqipërisë brenda kësaj dekade në BE. Kryefjala e raportit të këtij viti është fakti se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces,” shkruan Balla.
Sa i përket reformës zgjedhore, ai ka sqaruar se Kuvendi i ri, i cili nis punën më 10 shtator, do të jetë institucioni që do të adresojë këto çështje.
Raporti për Shqipërinë është hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder, i cili më herët ka deklaruar se “Shqipëria mund të quhet me krenari ‘favoriti kryesor’ mes kandidatëve për anëtarësim në Bashkimin Europian.”