
Tiranë, 14 tetor 2025 – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar që do të hetojë ligjshmërinë e veprimeve të pushtetit qendror dhe vendor gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Në dokumentin e paraqitur, PD thekson se zgjedhjet e fundit parlamentare “u kompromentuan rëndë” për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave të konstatuara edhe nga raporti paraprak i OSBE/ODIHR, si dhe nga disa rezoluta ndërkombëtare të EPP, CDI dhe IDU.
Sipas opozitës, procesi u karakterizua nga shitblerje votash, intimidim të zgjedhësve, përdorim të administratës publike për qëllime elektorale, manipulim të votës së diasporës dhe përdorim të sistemit të patronazhistëve.
Në kërkesë listohen 24 pika të shkeljeve të pretenduara, duke përfshirë keqpërdorimin e fondeve publike, legalizimeve, prokurimeve, licencave për kultivimin e kanabisit, punësimeve elektorale, deri te manipulimi i sistemeve biometrike dhe zhdukja e 350 kutive të votimit.
Komisioni i propozuar do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë si qëllim verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të institucioneve shtetërore, si dhe propozimin e ndërhyrjeve ligjore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në të ardhmen.