Në festën e 7 Marsit, Partia Demokratike zotohet të dyfishojë buxhetin për arsimin dhe shkencën, nëse shallet fitues në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

 

Përmes një deklarate për mediat drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula tha se PD, do ta çojë pagën mesatare të mësuesit rreth 1300 Euro/muaj dhe të pedagogut rreth 2000 Euro/muaj.

Teksa foli për krizën në arsim, Sula tha se Partia Demokratike angazhohet për dinjitetin e mësuesit dhe reforma thelbësore.

Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili

Sot, në ditën e Mësuesit, Partia Demokratike shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë për të gjithë mësuesit, pedagogët, punonjësit e arsimit, të cilët me përkushtim e idealizëm kryejnë misionin fisnik të edukimit të brezave.

Në këtë ditë simbolike vëmendja shkon te realiteti i zymtë me të cilin përballen çdo ditë mësuesit, te sistemi arsimor i ngërthyer nga politika, nëpërkëmbja e mësuesve dhe përdorimi i tyre vetëm për të mbushur sallat e fushatave politike, tek pagat më të ulëta në rajon, te diskriminimi dhe mohimi i të drejtave të trajtimit financiar i disa mijëra mësuesve të tjerë, te shantazhet për të votuar rilindjen dhe për të realizuar numrin e detyruar të votuesve në diasporë.

Prej vitesh arsimi lëngon, ndërkohë që degët universitare që diplomojnë mësues po mbyllen njëra pas tjetrës, dhe shumë shpejt nxënësit nuk do të kenë mësues për lëndët e shkencave natyrore dhe humane, madje as për ciklin fillor.

Ekspertët e vlerësimeve ndërkombëtare kanë dhënë prej vitesh alarmin për gjendjen mjeruese të rezultateve të nxënësve, për thellimin e analfabetizmit funksional, të mendimit krijues, që i renditin fëmijët në fund të botës. Përveç fotove artistike qe shpërndahen me detyrim qindra herë në rrjete sociale, asnjë masë s’është ndërmarrë nga ministria e Errësimit.

UNESCO ka theksuar si nevojë urgjente rritjen e buxhetit për arsimin për shkak të përkeqësimit të treguesve, por partia-shtet nuk dëgjon nga ajo anë dhe buxheti për arsimin është më i ulët se vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike.

Prej kohësh është deklaruar përkeqësimi i të dhënave mbi diskriminimin, bullizmin, dhunën psikologjike e fizike që po shtohet dita – ditës. Vetëm gjatë 4-5 muajve të fundit u shënua një zinxhir ngjarjesh shumë të rënda, nga goditjet me thikë në shkollën Gjergj Kastrioti, në Baz të Matit, te konflikti mes dy adoleshentëve të shkollës së mesme në Cakran të Fierit, deri tek humbja e jetës së 15 –vjeçarit, M. C., dhe ngjarja fatale e gjimnazistes I. M., në Gjirokastër. Asnjë ngjarje e zezë nuk e lëvizi e nuk e shkundi ministrinë, ndërkohë që shkëlqeu skërmitja çnjerëzore e zonjës Manastirliu dhe vrulli i kreut të rilindjes Rama për të mbyllur Tik-Tok-un.

Partia Demokratike e bindur se dinjiteti i mësuesit, reformat dhe financimi i arsimit janë prioritet, do të dyfishojë buxhetin për arsimin dhe shkencën.

Paga mesatare e mësuesit do të shkojë rreth 1300 Euro/muaj dhe ajo e pedagogut rreth 2000 Euro/muaj.
Brenda 2 viteve të para të qeverisjes sigurohet infrastruktura digjitale në të gjitha shkollat dhe universitetet publike.
Garantojmë zgjerimin e klasave kolektive dhe zbutjen e shpejtë të pabarazisë dhe diskriminimit të nxënësve dhe studentëve të zonave më të rrezikuara nga shpopullimi.

Garantojmë Statusin ligjor dhe ekonomik të Mësuesit, të marrëdhënieve të punës dhe zhvillimit të karrierës. Sigurojmë një Strategji tërësore të Trajnimit të Vazhduar të Mësuesit që do të ofrohet pa pagesë.

Garantojmë vlerësimin dhe shpërblimin e arritjeve në mësimdhënie të mësuesve përmes Bonusit Financiar të Performancës -një fond i decentralizuar.

Partia Demokratike zotohet se programi ARSIMI PRIORITET KOMBËTAR do garantojë zhvillimin dhe prosperitetin për shoqërinë e dijes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu