
Partia Demokratike e Shqipërisë zhvillon sot ceremoninë zyrtare të 35-vjetorit të themelimit, në selinë qendrore të PD-së, nën drejtimin e Kryetarit të parë dhe aktual, Prof. Dr. Sali Berisha — figura që udhëhoqi lindjen e forcës së parë opozitare në vend pas 45 viteve diktaturë.
Berisha nderon themeluesit dhe kontribuuesit e PD ndër vite.
“Nderimin më të madh për guximin, kontributin, lumenjtë e sakrificave të qindra e mijëra demokratëve dhe demokrateve dhe mbështetësve tanë në këto 35 vite.
Nderim dhe mirënjohje të pakufijshme për veprën e pavdekshme të tribunit të lirisë, themeluesit dhe prijësit të parë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë!
Nderim të veçantë dhe të madh për veprën dhe kontributin e themeluesit të shquar të Partisë Demokratike, intelektualit të mirënjohur, të pavdekshmit Gramoz Pashko.
Ne përkulemi me nderim të thellë para kontributit dhe veprës së pavdekshme të themeluesve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, Mandelës së Evropës, ish-kryetarit të parlamentit, Pjetër Arbnori.
Qëndrestarit të pamposhtur dhe intelektualit të madh, drejtuesit kryesor të Partisë Demokratike dhe grupit të mazhorancës së saj në parlament, Ali Spahia.
Personalitetit të shquar të Partisë Demokratike, burrit të shtetit që i dha aq shumë nder shtetit dhe presidencës, Bujar Nishani.
Ministrit brilant të Partisë Demokratike dhe drejtuesit të rinisë së saj, Sokol Olldashi. Udhëheqësit të talentuar të rinisë, Partisë Demokratike, Genti Bogdani.
Dhe dhjetëra e dhjetëra drejtuesve, deputetëve, qeveritarëve qëndrorë dhe vendorë të kësaj partie që nuk janë më. Kujtimi, vepra, trashëgimia e tyre është dhe do mbetet krenaria e jona dhe e demokratëve në çdo kohë.”

Më 11 dhjetor 1990, PD u krijua nga një grup studentësh dhe intelektualësh, me Azem Hajdarin si Kryetar të Komisionit Nismëtar, ndërsa Sali Berisha u zgjodh më pas Kryetar i Partisë, duke udhëhequr procesin historik të rrëzimit të regjimit komunist dhe të vendosjes së pluralizmit politik.

Nga fitorja e 1992-s te transformimi ekonomik
Më 22 mars 1992, PD fitoi shumicën absolute, duke shënuar fillimin e një epoke të re për Shqipërinë. Qeveria demokrate nisi reformat ekonomike dhe teknike, nënshkroi marrëveshjen e parë me SHBA pas 47 vitesh izolim, privatizoi mijëra ndërmarrje, liberalizoi çmimet dhe ngriti sistemin fiskal e bankar, duke shpëtuar vendin nga varfëria ekstreme.
Ligji për ish-të përndjekurit dhe dënimi i krimeve të komunizmit
Në korrik 1993, PD miratoi ligjin për “Statusin e ish-të përndjekurve politik” dhe nisi dëmshpërblimet, ndërsa në vitin 1995 u miratuan ligjet për genocidin dhe pastërtinë e figurave, duke adresuar për herë të parë krimet e diktaturës.
Integrimi euro-atlantik: Nga Këshilli i Europës te NATO
Përmes reformave të thella, Shqipëria u anëtarësua në Këshillin e Europës (1995), ratifikoi Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (1996), ndërsa në vitin 2009, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u anëtarësua në NATO — një moment historik që ai e cilësoi “mrekulli të lirisë”.

2005–2013: Reforma ekonomike dhe modernizimi i vendit
Në mandatin e dytë qeverisës të Partisë Demokratike (2005–2013):
- Shqipëria tërhoqi për herë të parë mbi 1 miliard USD investime të huaja direkte në vitin 2010
- U vendos tatimi i sheshtë 10%
- U përmirësua klima e biznesit dhe u dyfishuan eksportet
- U inaugurua Rruga e Kombit
- U hoqën vizat për shqiptarët drejt BE-së (15 dhjetor 2010)
- U nënshkrua Marrëveshja e TAP-it në 2013, duke hapur rrugën e gazifikimit të vendit
Një datë me simbolikë të fortë historike
Ceremonia e sotme vjen si rikujtim i rrugës që PD ka ndjekur në 35 vite — nga lëvizja studentore e dhjetorit ’90, tek demokratizimi i institucioneve, integrimi euro-atlantik dhe transformimi ekonomik i vendit.



