
Partia Demokratike denoncoi sot parregullsi në procesin e shpërndarjes së zarfeve me fletën e votimit në Greqi.
Drejtuesja politike për diasporën, Jozefina Topalli deklaroi se Partia Demokratike ka të dhëna se zarfet me fletën e votimit po tërhiqen në bllok nga persona të panjohur në pikat e kompanive që dhe ka nënkontraktuar në shtetin fqinj.
“Dhe shqiptarët shkojnë, por nuk e gjejnë më zarfin aty. U thonë se zarfi i tyre nuk është më këtu, pavarësisht se ata nuk e kanë marrë, dhe dikush tjetër ka shkuar të marrë zarfin e tyre”, tha Jozefina Topalli.
Topalli ka denoncuar me emra personat të cilët sipas saj po mbledhin zarfet me fletët e votimit në favor të PS
“Një ish-kryetar i komunës së Çarshovës, që tani është në bashkinë e Përmetit, pasi shkon aty dhe ka numrat e telefonit, informacioni që vjen tek ne, është se i japin një shumë financiare dhe pastaj ua plotëson vetë fletën e votimit, Veli Mehmeti e ka emrin. Gjëra të tilla janë të përsëritura, nuk është më një fenomen sporadik, por është kthyer në një normalitet”, shtoi Topalli.
PD i bëri apel SPAK-ut të veprojë ndaj të gjithë atyre që po cenojnë të drejtën e qytetarëve në Greqi për të votuar.
“I bëjmë thirrje SPAK që të marrin që të gjitha masat, të mos kujtojnë banditët e votës se janë duke bërë namin duke marr zarfet e emigrantëve, e dimë kush e bënë dhe ja përcjellim SPAK me emra. SPAK të bashkëpunojë me partneret”, u shpreh Ivi Kaso.
Pavarësisht këtyre problemeve, PD u ka bërë apel qytetarëve që në këto ditë të fundit para zgjedhjeve të votojnë për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre.
Sipas kontratës së firmosur mes KQZ dhe kompanisë DhL, postieri duhet të shkonte në shtëpinë e çdo votuesi 3 herë për t’ia dorëzuar personalisht qytetarit zarfin me fletën e votimit dhe më pas të shkonte të merrte sërish zarfin me fletën e plotësuar.
Por kjo nuk ka funksionuar kryesisht në Greqi dhe qytetarëve iu është bërë thirrje te shkojnë të tërheqin fletën e votimit pranë pikave postare.
Në Greqi janë dërguar 68 mijë zarfe me fletën e votimit, dhe vetëm 23 mijë qytetarë kanë votuar dhe zarfi me fletën e tyre në votimit ka mbërritur në KQZ.
Në mënyrë që fleta e votimit të mbërrijë në kohë, emigrantët në Greqi kanë kohë deri të premten për të votuar, ndërkohë që ata që banojnë në ishujt e Greqisë për shkak të distancës kanë edhe 24 orë kohë për të shprehur vullnetin e tyre me votë./vizionplus.