Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente në Kuvend me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, duke ngritur shqetësimin për depërtimin e elementëve kriminalë në Policinë e Shtetit.

Deputeti demokrat Klevis Balliu deklaroi se raportet e partnerëve ndërkombëtarë kanë evidentuar dobësi serioze në strukturat e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilat sipas tij mbeten të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe infiltrimit kriminal.

Sipas Balliut, situata përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e vendit ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

“Kur elementë kriminalë depërtojnë në strukturat që duhet të luftojnë krimin, kemi të bëjmë me një problem të rëndë institucional dhe një kërcënim serioz për shtetin,” u shpreh ai.

Deputeti vuri në pikëpyetje edhe efektivitetin e procesit të verifikimit të integritetit në polici, duke e cilësuar atë si një reformë që ka dështuar në praktikë.

PD kërkon transparencë të plotë për mënyrën e menaxhimit të emërimeve, promovimeve dhe mekanizmave të kontrollit brenda Policisë së Shtetit, si dhe shpjegime pse nuk janë marrë masa parandaluese, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme.

Në kërkesën për interpelancë, opozita thekson se përgjegjësia për integritetin e institucioneve të sigurisë është edhe politike dhe kërkon që ministri Lamallari të paraqitet në Kuvend për të dhënë përgjigje të detajuara.

Debati për sigurinë dhe funksionimin e Policisë së Shtetit pritet të jetë një nga çështjet kryesore në seancat e ardhshme parlamentare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu