
Partia Demokratike ka hedhur poshtë si mashtrime dhe të pabaza pretendimet e zëdhënësve të Policisë së Shtetit se gjatë protestës së opozitës janë plagosur 12 efektivë policie.
Në një deklaratë zyrtare, PD thekson se, sipas informacioneve të mbledhura në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore. Sipas saj, përpjekja për ta paraqitur protestën si të dhunshme synon të deformojë realitetin e një tubimi masiv kundër asaj që opozita e cilëson “narkoregjim”.
Partia Demokratike shprehet se nuk ka policë të plagosur, ndërsa, sipas saj, ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetëra të tjerë të arrestuar, në disa raste në mënyrë të paligjshme. PD pretendon se disa nga ndalimet janë kryer nga persona pa uniformë dhe pa simbolet e policisë, të cilët i cilëson si patronazhistë të qeverisë.
“Çdo tejkalim i ligjit do të merret shënim dhe çdo abuzues do të mbajë përgjegjësi të plotë”, thuhet në deklaratë.
PD falënderon mbështetësit dhe protestuesit për pjesëmarrjen, ndërsa u garanton të ndaluarve dhe familjarëve të tyre se do të marrin ndihmë ligjore dhe mbështetje të plotë.
Në përfundim, Partia Demokratike e cilëson situatën si “fillimi i fundit” për qeverinë, duke akuzuar policinë për përdorim të gazrave helmuese dhe dhunë të shpërpjesëtuar gjatë menaxhimit të protestës.



