
Pesë anëtarët demokratë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin kanë kërkuar thirrjen e një mbledhjeje të re ditën e martë, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në një konferencë për mediat, ata akuzuan kryeparlamentarin Niko Peleshi se, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, po pengon drejtësinë duke mos caktuar një datë të re për mbledhjen.
Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, tha se shtyrja pa afat është një “akt i paprecedentë” dhe se çdo ditë në liri e Ballukut rrezikon hetimet, provat dhe dëshmitarët. Ai theksoi se SPAK ka paraqitur rreth 80 prova në mijëra faqe dokumentacion, që mbështesin ligjërisht kërkesën për heqjen e imunitetit.
Avokati i Ballukut ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me materialet, ndërsa mazhoranca ka argumentuar se duhet pritur edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konfliktin e kompetencave mes qeverisë dhe GJKKO-së. Për këtë arsye, shumica ka propozuar që mbledhjet të zhvillohen pas 22 janarit.
Nga ana tjetër, opozita insiston se Këshilli duhet të mblidhet menjëherë, duke iu referuar afatit 72-orësh të praktikave të mëparshme.
Hetimet ndaj Ballukut lidhen me tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe shtatë lotet e Unazës së Madhe, ndërsa SPAK e akuzon për shkelje në 11 procedura prokurimi me një vlerë të dyshuar prej 1.1 miliardë euro.






