
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka shpërthyer sot në Kuvend me akuza të forta ndaj mazhorancës, ndërsa kërkoi heqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Këlliçi deklaroi se PD ka tërhequr të gjitha firmat e deputetëve për të gjitha kandidaturat e paraqitura në garë, duke e cilësuar procesin një “farsë të paralajmëruar”, që sipas tij ka për qëllim që institucioni i Avokatit të Popullit të merret nga Partia Socialiste.
Ai akuzoi mazhorancën se ka vendosur paraprakisht rezultatin e votimit dhe se kandidatura e Endri Shabanit përfaqëson “planin e PS për kapjen e institucionit”.
“Qëndrimi ynë është i prerë”
“E kemi bërë të ditur me shkrim qëndrimin tonë. Asnjë nga 26 kandidaturat nuk ka më firmat e deputetëve të PD. Nuk do të marrim pjesë në këtë farsë sa kohë nuk tërhiqni emrin e Endri Shabanit,” deklaroi Këlliçi.
Ai shtoi se PD do të qëndrojë vetëm te dy kandidaturat e propozuara prej saj: Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni.
Akuzat për “skema të parapërgatitura”
Deputeti demokrat iu referua edhe mazhorancës me tone ironike, duke përmendur “lepurin e Surrelit” si metaforë për ndërhyrjet politike që sipas tij e kanë shoqëruar procesin.
Këlliçi theksoi se opozita nuk do të jetë pjesë e një procesi që, sipas tij, ka humbur legjitimitetin procedural dhe politik.



