Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli para protestuesve të mbledhur pranë Kuvendit pas përfundimit të seancës ku mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.

Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi vendimin e sotëm të Parlamentit si një moment që, sipas tij, do të nxisë reagimin e qytetarëve kundër qeverisë.

“Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të qytetarëve shqiptarë kundër tij. Është kushtrim i plotë të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore gjer në largimin e tij nga pushteti”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë për të larguar nga pushteti kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar atë për mbrojtjen e korrupsionit pas votimit në Kuvend.

Berisha deklaroi se opozita do të vijojë protestat, duke e cilësuar këtë periudhë si “pranvera e fitores”.

“Kjo është pranvera jonë. Kjo është pranvera në të cilën ne duhet të fitojmë dhe do të fitojmë. Do rivendosim Shqipërinë në rrugën e dinjitetit, në rrugën e integrimit dhe në rrugën e lirisë”, tha ai para mbështetësve.

Ai shtoi se opozita do të vazhdojë protestën paqësore deri në largimin e qeverisë nga pushteti.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu